Bora Baboçi
Bora Baboçi (l. 1988, Tiranë) është një artiste shqiptare, praktika e së cilës ndërthur kërkimin në arkitekturë me artet pamore. Ajo ka kryer studimet në Universitetin e Torontos dhe masterin në Universitat Politècnica de Catalunya dhe pas disa vitesh eksperiencë në fushën e arkitekturës, ka fokusuar punën e saj në një praktikë artistike me anë të mediumeve të vizatimit, pikturës dhe ndërhyrjes hapësinore, e cila shpesh herë aktivizohet me momente të thjeshta gjestuale apo zanore.
Puna e Baboçit është informuar nga kërkimet e saj mbi gjurmimin e mjedisit të ndërtuar si dhe dimensionit intim të shprehive emocionale apo shpirtërore që marrin formë në të. Kontributet e saj në botime të tilla si "The Untold World" dhe "Home as a Showroom" pasqyrojnë interesin e saj të vazhdueshëm mbi temat e shtëpisë, tokës, zhvendosjes dhe përkatësisë, duke u përpjekur të krijojë lidhje midis dimensionit fizik dhe shpirtëror.

Ajo ka ekspozuar në hapësira si Galeria Belmacz në Londër, Galerie Kandlhofer në Vjenë dhe Galeria Suprainfinit në Bukuresht, me punën e saj të paraqitur edhe në Manifesta14 në Prishtinë dhe Bienalen Mediterranea 19 në San Marino. Baboçi ka kryer gjithashtu rezidenca të ndryshme artistike, duke përfshirë Art Explora në Paris dhe Salzburger Kunstverein në Austri.